Korrte barin në kopshtin e fqinjit, i riu nga Peqini përfundon në mënyrë tragjike

Një 35 vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në qytetin e Peqinit, teksa ka qenë duke punuar me një korrëse bari, e cila funksiononte me energji elektrike.

Viktima është Ilir Sharka. Ai ka rënë në kontakt me rrymën dhe ka ngelur i vdekur në vend. I riu po punonte në kopshtin e fqinjit në momentin kur ka ndodhur ngjarja e rëndë.

Policia njofton se nga këqyrja paraprake e kryer nga eksperti mjeko ligjor rezultoi se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të shkaktuara nga ndonjë faktor tjetër.

Paraprakisht dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike që furnizonte makinën korrëse të barit dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.